Një hulumtim ka dhënë rezultate interesante
Me siguri keni vërejtur që gratë ankohen më shumë se kanë duart më të ftohta se burrat gjatë periudhës së dimrit.
Ekspertët janë interesuar a ekziston ndonjë shpjegim shkencor për këtë, andaj kanë bërë një hulumtim, qëllimi i të cilit ishte të konstatojë përse pjesëtareve të gjinisë së bukur u janë duart më të ftohta.
Shkaktari i kësaj dukurie qëndron në masën muskulore, transmeton Telegrafi.
Masa muskulore është ajo që i “ngroh” duart dhe i bën më të ngrohta, mirëpo meqenëse meshkujt kanë më shumë masë muskulore se femrat, atyre duart u janë më pak të ftohta.
Shkencëtarët e Kembrixhit kanë bërë një hulumtim duke kërkuar nga pjesëmarrësit në eksperiment që duart t’i mbajnë në ujë të akullt tre minuta.
Pjesëmarrësit të cilët kanë pasur masë më të madhe muskulore më shpejt i kanë ngrohur duart, dhe dëshmi për këtë kanë qenë imazhet e kamerës termale.
Rezultatet kanë qenë paksa befasuese për ekspertët të cilët kanë konsideruar që yndyrat kanë një rol më të madh:
– Gjithmonë kemi menduar se yndyrat janë faktori më i rëndësishëm në termorregullimin, por rezulton se muskujt luajnë rolin kryesor. Trupi i njeriut është i mahnitshëm, sistemi dinamik përdor muskujt për të gjeneruar nxehtësi në mënyrë që të ngrohë pjesën tjetër të trupit, përfshirë duart – shpjegoi një nga autorët e hulumtimit.
– Ka më pak gjasa që gratë të kenë shumë masë në duar, por ka më shumë gjasa që ato të veshin doreza më shpesh sesa një mashkull – tha doktoresha Stephanie Payne, e cila udhëhoqi eksperimentin. /Telegrafi/