Telegrafi

Ka ndërruar jetë Zsa Zsa Gabor, aktorja e njohur për jetën luksoze dhe martesat e shumta (Foto)

Aktorja me origjinë hungareze, Zsa Zsa Gabor, ka ndërruar jetë të dielën në Los Angeles. Ajo ishte 99 vjeçare.

Përfaqësuesi i saj, Edward Lozzi, ka njoftuar se arsyeja e vdekjes ishte pamjaftueshmëria e zemrës.

Nga e majta, Zsa Zsa Gabor dhe motrat e saj, Magda dhe Eva, në vitin 1955 (AP)

Ajo ka qenë e njohur për jetën e saj luksoze dhe martesat e shumta, prej të cilave janë bërë publike së paku tetë.

Karriera e saj nisi me kurorën e ‘Miss Hungarisë’ në vitin 1936 dhe që nga vendosja në SHBA ka luajtur në dhjetëra filma dhe seriale televizive, në disa prej të cilave portretizonte veten.

Zsa Zsa Gabor në Budapest të Hungarisë, në vitin 1940 (EPA)

Ndër rolet e saj më të mira përmenden ato në filmat, si “Moulin Rouge” (1952), “Lili” (1953), “Touch of Evil” (1958) dhe “Queen of Outer Space” (1958). /Telegrafi/