Site icon Telegrafi

Ka ndërruar jetë Shaban Demiri, hendbolli mbetet pa një punëtor shumë të çmuar

(Foto: kosovahandball.info)

Ka ndërruar jetë Shaban Demiri, një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin kosovar. Ai ka vdekur të hënën pasi për një kohë është përballur me telashe shëndetësore.

Shaban Demiri ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare. Do të mbahet mend për përkushtimin në punë, qetësinë dhe për energjinë pozitive që ka sjellë në secilin ambient ku është paraqitur. Familja e hendbollit kosovar ka mbetur pa një anëtar të çmuar.

I lindur në vitin 1956 në Gadime, Demiri filloi të luante në Obiliq si nxënës i shkollës së mesme, në vitin 1972. Filloi te skuadra KXEK Kosova, ndërsa luajti deri në vitin 1986. Prej viti 1988 e deri në vitin 2007 dha kontribut si gjyqtar i hendbollit. Ndërsa prej vitit 2007 e deri në ditët e fundit të jetës, ka kontribuar si vëzhgues.

Është shquar edhe për korrektësinë në punë dhe për angazhimin për zhvillimin e hendbollit. Kontributi i tij, sidomos në vitet nëntëdhjeta, ishte i madh. Ai ka dhënë kontribut si lojtar e më pas si gjyqtar i hendbollit dhe së fundi edhe si vëzhgues-kontrollues.

Presidenti Eugen Saraçini në emër të FHK-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Demiri dhe gjithë komunitetit të hendbollit.

Telegram ngushëllimi ka nisur edhe ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, me rastin e ndarjes nga jeta e Shaban Demirit që jua sjellim më poshtë:

E nderuar familja Demiri,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, trajneri dhe gjyqtari ynë i hendbollit, Shaban Demiri.

Jo vetëm ju si familje, por ne si Kosovë, humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në hendbollin e Kosovës. Shabani ka qenë lojtar, trajner, gjyqtar e vëzhgues-kontrollues i sportit të hendbollit, duke e dhënë kështu kontributin e tij në këtë sport në të gjitha segmentet e tij, sidomos në vitet e nëntëdhjeta.

Shaban Demiri, do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për sportin e hendbollit sepse ai vazhdimisht ka sjellë energji dhe konkretizim në secilin angazhim të tijin. Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në hendbollin e Kosovës.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Shaban Demirit.

Sinqerisht,
Vlora Dumoshi
Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Exit mobile version