Ka ndërruar jetë legjenda e futbollit kosovar Ferhat Karabeg, ka bërë ditur përmes faqes zyrtare klubi i Prishtinës përmes faqes zyrtare.
Ai ishte futbollist e trajner i Prishtinës, ndërsa një jetë të tërë ia ka kushtuar klubit nga kryeqyteti, transmeton Koha.net.
“Prishtina, nga krijimi i saj, më 1922, e sidomos pas Luftës së dytë botërore, ka ikonat e saj të dala nga gjiri i qytetit, dhe nëpërmjet klubit duke krijuar kultin e tyre nga ai lokal, në të pavdekshëm. I tillë ishte, Ferhat Karabeg. Fëmijë i klubit të futbollit Prishtina. I lindur më 25.02. 1937 në Prishtinë. Një karrierë të tërë në klubin e futbollit Prishtina të nisur si futbollist në vitet 50-ta, kurse “8”-ta, mesfushori agil, si kapiten i skuadrës ishte nga viti 1953 dhe pjesë ekipit të artë e vitit 1961 kur Prishtina ishte inkuadruar në Ligën e dytë federative, për herë të parë në histori të klubit”, shkruan FC Prishtina.
Prishtina bën të ditur se pas përfundimit të karrierës shumë të gjatë si futbollistë, ka nisur karrierën prej trajnerit, një jetë të tërë ka edukuar brezat e futbollistëve të rinj, klubi e tij i zemrës, Prishtina më 1967/68 së bashku me dy emra të artë të asaj kohe Aca Milaçiq dhe Firga Staniq.
Karabeg ishte ndihmëstrajner i Bela Pallfi, me të cilin skuadra ishte promovuar në elitën e futbollit të atëhershëm jugosllav. Pastaj ishte edhe ndihmës i trajnerit, Fuad Muzuroviq.
Pas Prishtinës, karrierën e trajnerit e kishte vazhduar në Turqi, kurse nga kthimi ishte pensionuar.
Ferhat Karabeg, ishte prijës i një mori sportistësh të dal nga familja kryeqytetase, Karebeg. Kurse, numrin 8-të në shpinë, me po aq madhështi pas tij e kishte vazhduar të vishte, Burim Hatipi.
Ai ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare.
“FC Prishtina, armata e adhuruesve të vjetër e të rinj, futbollistë që kanë mësuar nga ai, do ta kujtojnë për jetë. Kujtimi për Ferhat Karabeg do të jetë i përjetshëm. Varrimi i të ndjerit, legjendës së klubit të futbollit, Prishtina, Ferhat Karabeg, bëhet të hënën më 18 prill nga ora 14.00 në varrezat e qytetit në Prishtinë”, shkruan klubi kryeqytetas.
Ndeshja, Prishtina – Hajvalia do të nisë me një minutë heshtje, në kujtim të legjendës, Karabeg.