Komiku amerikan, Jerry Lewis, ka ndërruar jetë në moshë 91 vjeçare.
Në një njoftim të familjes së tij është thënë se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore, mëngjesin e të dielës në Las Vegas.
Lewis, emri i vërtetë i të cilit është Joseph Levitch, lindi në Newark të New Jerseyt, nga prindër ruso-çifutë, të cilët ishin në botën e shoubizit. Ai filloi të luante në skenë që nga mosha pesëvjeçare krahas prindërve të tij.
Bashkëpunimi dhjetëvjeçar me Dean Martin, bëri që ata të luanin në 16 filma dhe të arrinin sukses të madh në ‘box office’.
Ai u bë aktori më i paguar në Hollywood falë roleve në “The Bell Boy”, “Cinderfella” e “ The Nutty Professor”.
Nga sukseset tjera, vlen të përmendet “The King of Comedy” në vitin 1983, ku luante një moderator që përndiqej nga Robert de Niro.
Në vitin 1995, Lewis u bë ylli më i paguar në histori të Broadway me rolin e Mr Applegate në mjuziklin “Damn Yankees”. Njëherësh, ai është vlerësuar edhe si skenarist. /Telegrafi/