Telegrafi

Ka ndërruar jetë ish-kapiteni i Anglisë, Jimmy Armfield

Ish-futbollisti anglez, Jimmy Armfield, ka ndërruar jetë në moshë 82 vjeçare, pas luftës së gjatë me kancerin.

Mbrojtësi i dikurshëm i Blackpoolit (1954–1971), pas përfundimit të karrierës kishte punuar si trajner dhe si komentator në BBC Radio Five.

(Foto: Getty Images)

Gjatë karrierës si futbollist, ai ka luajtur vetëm për një klub (Blackpool), ndërsa ka qenë pjesë e ekipit të parë të Anglisë gjatë viteve 1959–1966. Njëherësh, ai ka qenë edhe kapiten i Tre Luanëve.

Bolton Wanderers (1971–1974) dhe Leeds United (1974–1978) janë klubet që i ka menaxhuar si trajner.

(Foto: Getty Images)

“Pas një beteje të gjatë dhe të guximshme, burri, babai, gjyshi dhe njerku ynë i dashur, Jimmy Armfield, ka ndërruar jetë i qetë i rrethuar nga familjarët e tij”.

“Në këtë periudhë jemi akoma të shokuar, sepse po e nisim procesin e zisë. E dimë se Jimmy ka qenë figurë publike, por me shumë respekt, familja po kërkon privatësi”.

(Foto: Getty Images)

“Kemi marrë shumë mesazhe të bukura të shprehjes së dashurisë dhe mbështetjes, për të cilat jemi shumë falënderues, dhe jemi të prekur nga të gjitha fjalët e mira”, thuhet mes tjerash në njoftimin e familjes së tij. /Telegrafi/

(Foto: Getty Images)