Site icon Telegrafi

Ka ndërruar jetë France Gall, këngëtarja e popullarizuar franceze (Video)

France Gall, këngëtarja franceze e njohur për hitin “Ella Elle l’a”, ka ndërruar jetë në moshën 70 vjeçare.

Ajo kishte vuajtur nga kanceri qe disa vite, ndërsa në muajin e kaluar u shtri në një spital në Paris për shkak të një infeksioni të rrezikshëm.

Këngëtarja e popullarizuar është edhe fituese e Eurovisionit (1965), ku e përfaqësoi Luksemburgun me këngën “Poupee de cire, Poupee de son”.

Kulmin e karrierës së saj ndërkombëtare e përjetoi me këngën “Ella Elle l’a”, kushtuar legjendës së muzikës xhaz, Ella Fitzgerald.

Gall lindi në vitin 1947, në një familje muzikantësh. Babai i saj, Robert Gall, ishte këngëtar dhe tekstshkrues, ndërsa u kishte shkruar këngë legjendave të muzikës, si Edith Piaf e Charles Aznavour.

Që në moshën 16-vjeçare u bë e famshme me hitin “Ne Sois Pas Si Bete”, ndërsa nga këngët e shumëpëlqyera të saj ishin edhe”Les Sucettes”, “La Declaration Damour”, “Si Maman Si” e shumë të tjera.

https://youtu.be/9ZhguAINZtw

Falë karrierës së saj 50-vjeçare, ministri francez i Kulturës e përshkroi si “ikona e pavdekshme e këngëve franceze”.

Kah mesi i viteve të nëntëdhjeta, Gall mbeti pa burrin dhe muzikantin Michel Berger, i cili ndërroi jetë. Menjëherë pas, këngëtarja u sëmur nga kanceri i gjirit.

(Foto: Getty Images)

Ajo arriti t’i mbijetojë sëmundjes, mirëpo në vitin 1997 i vdiq vajza nga fibroza cistike, duke bërë që ajo të tërhiqej nga muzika.

Vitet e fundit të jetës, France Gall ia kushtoi punës humanitare. /Telegrafi/

Exit mobile version