Chuck Mosley, frontmeni i dikurshëm i bendit funk-metal, “Faith No More”, ka ndërruar jetë në moshën 57 vjeçare.
Këngëtari, emri i vërtetë i të cilit është Charles Henry Mosley III, ka ndërruar jetë për shkak komplikimeve nga “sëmundja e lidhur me vartësinë”, është thënë në njoftimin e familjes.
“Pas një periudhe të gjatë të abstinencës, Charles Henry Mosley III e humbi luftën për jetë më 9 nëntor 2017, nga sëmundja e vartësisë. Po e tregojmë shkakun e vdekjes duke shpresuar se do t’u shërbejë si paralajmërim njerëzve të tjerë që luftojnë me vartësinë nga alkooli”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Chuck Mosley ka qenë këngëtar i “Faith No More” në periudhën 1984-1988 dhe i ka incizuar dy albume me këtë grup, “We Care A Lot” dhe “Introduce Yourself”.
Mirëpo, për shkak të problemeve me drogën dhe mosmarrëveshjeve me anëtarët tjerë të grupit, ai u largua në vitin 1988.
Vendin e tij e zuri Mike Patton, me të cilin “Faith No More” u bë grup i famshëm dhe një prej bendeve kult të viteve të nëntëdhjeta.
Mosley është baba i dy vajzave nga lidhja me partneren Pip Logan. /Telegrafi/