Festivali më i madh i muzikës italiane, “Sanremo 2022”, përfundoi mbrëmë (e mërkurë) natën e dytë.
Në spektaklin e natës së parë pamë gjysmën e garuesve të vitit që shkoi, ndërsa gjatë natës së dytë, 13 konkurrentët e mbetur performuan këngën e tyre për herë të parë.
Në po të njëjtën mbrëmje u zbuluan edhe drejtuesit e “Eurovision Song Contest 2022” dhe siç u aludua më parë janë pikërisht: Mika, Laura Pausini dhe Alessandro Cattelan.
Natën e tretë (e enjte) të 25 artistët do të performojnë sërish këngën e tyre.
Rezultatet e natës do të formohen nga televotimi dhe një juri e përzgjedhur nga RAI që përfaqëson popullsinë italiane teksa do të përpunohet një renditje e re, ku do të shtohen votat e mëparshme nga dy netët e para.
Natën e katërt (e premte) të 25 artistëve do t’u jepet mundësia të zgjedhin dhe të performojnë një ‘cover’ të një kënge të shekullit të 20-të. Artistët mund të këndojnë solo ose së bashku me një artist të njohur italian ose ndërkombëtar.
Në finalen e së shtunës, çdo garues do të interpretojë sërish këngët e tij dhe tri më të mirat do të kalojnë në finale.
Gjithashtu, do të bëhet një votim i ri dhe në përfundim të tij do të kemi fituesin e edicionit të 72-të të Sanremo dhe këngëtarin që e përfaqëson Italinë në “Eurovision 2022”.
Italia ka qenë pjesë e “Eurovision” për 46 vite. Ata kanë fituar tri herë:
1964 : Gigliola Cinquetti – Non Ho L’eta
1990 : Toto Cutugno – Insieme: 1992
2021 : Maneskin – Zitti e buoni
Italia pati një pauzë të gjatë nga “Eurovision Song Contest” nga viti 1998 deri në vitin 2010. Që atëherë, ka qenë një vend në top 5 duke u kualifikuar automatikisht në finalen e madhe të çdo viti. /Telegrafi/