Site icon Telegrafi

Ka filluar trajnimi tre ditor për infermierë dhe neonatologë për Sistemin e Referimit Neonatal

Sot, më 23 tetor 2024, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka nisur trajnimi tre ditor për Sistemin Neonatal të Referimit, dedikuar stafit shëndetësor, përfshirë infermierë dhe neonatologë nga spitalet rajonale si dhe Klinika Neonatologjike në QKUK. 

Trajnimi është organizuar me mbështetjen e Fulbright Programme dhe Action for Mothers and Children (AMC). 

Ky trajnim vjen si pjesë e përpjekjeve të AMC-së për të mobilizuar palët institucionale në krijimin e një sistemi të fortë të referimit neonatal në Kosovë, në një kohë kur vendi përballet me shkallën më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Evropë.

Pavarësisht ndërhyrjeve shumësektoriale nga donatorë të shumtë dhe përfshirjes së institucioneve qeveritare, Kosova ende përballet me sfida të mëdha në ofrimin e kujdesit shëndetësor të duhur për nënat dhe foshnjat.

Një nga arsyet kryesore për këtë gjendje është mungesa e trajnimit profesional të ofruesve të kujdesit shëndetësor dhe kapaciteteve infrastrukturore, veçanërisht në aspektin e reanimacionit neonatal.

Ekspertët ndërkombëtarë, Dr. George Little dhe Victoria A. Flanagan, po udhëheqin këtë trajnim me fokus në zgjerimin e njohurive dhe aftësive profesionale për reanimacionin dhe referimin neonatal. 

Dr. George Little është Profesor i Pediatrisë dhe i Gjinekologjisë & Obstetrikës në Shkollën Mjekësore të Dartmouthit dhe Qendrën Mjekësore Dartmouth-Hitchcock në SHBA.

Victoria A. Flanagan, BSN është Infermiere Klinike e Pediatrisë në Shkollën e Mjekësisë Dartmouth.

Trajnimi synon krijimin e një rrjeti të fortë referimi që do të garantojë mbrojtjen dhe sigurinë e foshnjave më të rrezikuara, duke kontribuar në shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. 

Ky trajnim, që do të zgjasë deri më 25 tetor, pritet të ketë një ndikim afatgjatë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe foshnjat në të gjithë vendin, duke adresuar një çështje kritike për të cilën ka ende shumë punë për të bërë.

Exit mobile version