Armata e Republikës së Maqedonisë është duke ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh për mbrojtjen e kufirit shtetëror, njoftuan nga Kabineti i Ivanov, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, me vëmendje të veçantë i ndjek ngjarjet dhe zhvillimet në Turqinë miqësore. Presidenti i Maqedonisë është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë institucionet e sigurisë në Republikën e Maqedonisë, me MPB, Ministrinë e mbrojtjes, MPJ dhe me Armatën e Republikës së Maqedonisë, njoftojnë nga Kabineti i Ivanov.
„Kryetari dhe udhëheqësi i menaxhimit me krizat vazhdimisht informohen nga subjektet kompetente për menaxhim dhe parandalim të kërcënimeve dhe rreziqeve”, thuhet në njoftimin e Kabinetit.
Përmes këtij njoftimi Kabineti i presidentit informon se për momentin është duke u realizuar takimi i grupit për vlerësim dhe analizë të situatës së sigurisë.
Republika e Maqedonisë e përkrah qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Republikës së Turqisë, ndërsa presidenti Ivanov e përkrah normalizimin e gjendjes në Republikën e Turqisë dhe fton për respektimin e institucioneve demokratike dhe shmangie të çdo lloji të dhunës dhe gjakderdhjes, thuhet në njoftim./Telegrafi/
.