Telegrafi

Ka filluar koha e zjarreve në Maqedoni

Rritja e temperaturave ka bërë që të shtohen rreziqet për përhapje të zjarreve në rajonin e Pollogut. Ndonëse viteve të fundit në këtë rajon nuk ka zjarre në përmasa më të mëdha, për dallim nga para katër viteve, një pjesë e malit në rajonin e Komunës së Jegunocit u përfshi nga zjarri, shkruan gazeta KOHA. Gjithnjë gjatë periudhës verore ka rrezik për përhapje të zjarreve, prandaj nga njësia e zjarrfikësve thonë se qytetarët duhet të kujdesshëm.

“Apelojmë deri tek të gjithë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës, që në periudhën e ardhshme verore të vitit ku temperaturat e ajrit rriten në maksimum dhe arrijnë edhe në 40 gradë celsius dhe, duke marrë parasysh të dhënat statistikore dhe përvojat nga vitet e mëparshme, me të cilat posedojmë na bëjnë me dije që një numër i madh i zjarreve në këtë periudhë të vitit janë kryesisht zjarre në ambient të hapur edhe atë zjarre në pyje, në hapësira bujqësore dhe hapësira përgjatë rrugëve lokale, regjionale dhe magjistrale, prandaj edhe apelojmë që të sillemi me shumë kujdes dhe me ndërgjegje “, tha Uka Aliti, nga Njësia e Zjarrfikësve në Tetovës.

Më tej, nga kjo njësi apelojnë që qytetarët të mos ndezin zjarre, të kontrollojnë më shpesh makinerinë bujqësore dhe të tjera para se të fillojnë të punojnë. “Qytetarët të mos ndezin zjarre në pyje dhe në vende tjera për piknik të cilët janë të rregulluara me ligj. Të mos hidhen mbetje të cigareve, mbetje prej plastike, letra përskaj rrugëve. Të mos digjet kashta në hapësira bujqësore, të rregullohet me kohë makineria bujqësore, që të mos rrjedhë lëndë djegëse dhe vaj nga motori të cilët nga temperaturat e larta shumë lehtë mund të ndizen”, tha për KOHA, Aliti.

Nga njësia e zjarrfikësve, edhe njëherë apelojnë deri te qytetarët që tani, në muajt e verës, kur kemi temperatura shumë të larta, të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre të qëllimshme. Në ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar edhe policia e Tetovës. “Me përmirësimin e motit, në rajonin e Pollogut tanimë ka filluar dhe ditët në vijim edhe më shumë do të intensifikohen aktivitetet e zakonshme përgatitore të bujqve.

Ka filluar pastrimi i fushave nga kashtat, bari i thatë dhe ferrat në funksion të mbjelljeve të ardhshme, pas çka dukshëm është rritur frekuentimi në rajon, sidomos në rrugët rajonale dhe lokale. Për këtë, sektori për punë të brendshme në Tetovë apelon deri te qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur punojnë ose lëvizin në hapësira të hapura. Kjo, para se gjithash, ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, deri tek të cilët apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen, sidomos kur ka edhe erë.

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se ndezja e qëllimshme e zjarreve në mal paraqet vepër penale, për të cilën është e paraparë dënim me burg nga 8 deri në 10 vjet, varësisht vendit, madhësisë dhe pasojave përfundimtare”, thonë nga policia e Tetovës. Zakonisht në këtë periudhë numri më i madh i intervenime janë në vende të hapura, kur është ndezur kullosë e thatë.