Site icon Telegrafi

A ka ende kuptim koncepti ‘populizëm’?

Lulzim Hoxha

“Nuk ka ditë që dikush të mos ankohet për rreziqet e populizmit në Evropë”, kështu fillon eseja e filozofit francez Jacques Rancière e botuar në gazetën Libération në janar të vitit 2011, ku autori analizon keqpërdorimet e shumta që i bëhen konceptit ‘populizëm’ në shoqërinë bashkëkohore. E njëjta gjë mund të thuhet në rastin e vendit tonë, ku duket se kritikat ndaj populizmit kanë zënë vendin e ligjërimit mbi mungesën e alternativave politike. Por çfarë do të thotë saktësisht koncepti ‘populizëm’?

Në Amerikën Latine të viteve 1930-’40, populizmi kishte si domethënie politike zëvendësimin e formës parlamentare të përfaqësimit me një praktikë përfaqësimi ku njerëzit ‘trupëzohen’ në mënyrë të drejtpërdrejtë te figura e liderit. Kjo formë qeverisjeje ekzistonte asokohe në Brazilin e Getulio Vargasit apo në Argjentinën e Juan Perònit, kurse shembulli më tipik i këtij populizmi është Venezuela e Hugo Chavez. Ky populizëm iu përkiste kryesisht diktaturave të majta, ku bënte pjesë edhe regjimi komunist në Shqipëri. Në kohët e sotme në Evropë, sikurse edhe në vendin tonë – të cilin me shumë sforcim studiuesit duan ta klasifikojnë si pjesë të simptomave evropiane të keqpërfaqësimit – kemi të bëjmë me një populizëm të një lloji tjetër.

Duket se kemi kaluar nga populizmi si formë përfaqësimi në atë që Rancière e quan ‘populizmi si praktikë qeverisjeje’. Dallimi është se populizmin si formë përfaqësimi mund ta përdorte një diktator për të maskuar problemet që kishte përfaqësimi dhe për t’i mbështjellë këto probleme me anë të ‘vellos magjike’ të partisë-shtet. Në të kundërt, populizmi si praktikë qeverisjeje synon të maskojë problemet që ka qeverisja duke i mbështjellë ato me ‘vellon magjike’ të përfaqësimit që disponojnë demokracitë bashkëkohore. Nëse populizmi i shekullit të kaluar kishte si objektiv forcimin e qeverisjes duke sakrifikuar përfaqësimin, sot ndodh e kundërta: duhet të forcojmë përfaqësimin duke sakrifikuar qeverisjen.

Nga shumë përkufizime që i janë dhënë populizmit në literaturën e shkencave politike, tri prej tyre më duket se e përshkruajnë më saktë populizmin e sotëm: 1. një stil ligjërimi që i drejtohet popullit në mënyrë të drejtpërdrejtë. 2. Përqendrimi i elitave qeverisëse tek individualiteti i tyre më tepër se sa te funksioni politik që kryejnë. 3. Retorika identitare që kthehet në shprehje politike të frikës dhe refuzimit të të huajve. Nga këto tri përkufizime, mund të themi se në dy përkufizimet e para (në përkufizimin e tretë nuk mund të bëjnë pjesë vendet e prapambetura që janë nën patronazhin e të huajve) përfshihen shumica e shteteve demokratike në perëndim. Ndërkohë që në përkufizimin e parë mund të përfshijmë çdo lider që i drejtohet popullit në mënyrë të drejtpërdrejtë, që nga Abraham Lincoln (“demokracia është një qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”) e deri te Lulzim Basha (“ndryshimi vjen nga populli, qëndresë deri në fitore!”). Abuzimi që i bëhet përdorimit të këtij koncepti nis të vërehet në momentin kur e gjejmë populizmin në ligjërimin e liderëve aq të ndryshëm si Trump, Le Pen apo Basha. Kjo sepse me termin ‘populizëm’, në bankën e të akuzuarve nuk janë politikanët më shumë se sa populli. Politikanët maksimumi mund të akuzohen pse u bëjnë apel dëshirave të popullit, kurse populli akuzohet pse i ka ato dëshira dhe pse pranon të manipulohet nga politikanët për realizimin e atyre dëshirave. Sipas këtij kuptimi, të krahasosh populizmin e Trump, Le Pen me atë të Bashës, nënkupton të krahasosh popujt ndaj të cilëve bëjnë apel këta politikanë dhe këtu përdorimi i konceptit ‘populizëm’ merr efekte më ‘magjike’ sepse krahasimi i popujve është një sfidë e vështirë edhe për politologun më ‘heroik’ të armatës së gjithologëve tanë. Me fjalë të tjera, një koncept i cili përfshin realitete kaq të ndryshme dhe të pabashkueshme me njeri-tjetrin, në fakt anashkalon diferencat e pafundme, malet dhe oqeanet e largëta që ky koncept duhet të përshkojë për të kaluar nga një realitet te tjetri ose zonat e dallueshmërisë – do thoshte filozofi Gilles Deleuze – që e bëjnë konceptin të marrë forma pakrahasueshmërisht të ndryshme kur përshkruan një ambient. Ndryshe thënë: një koncept si populizmi, i cili synon të përshkruajë një fenomen të kudondodhur nuk është më koncept por ideologji. Tekefundit në një kohë kur ideologjitë e dikurshme nuk ushqejnë më shpresa në popull dhe kur besueshmëria ndaj partive politike është më e lëkundur se kurrë, populizmi mbetet e vetmja alternativë ‘magjike’ në qarkullim. Populizmi si predikament ideologjik në një shoqëri si kjo e jona e kthen popullin në protagonist të politikës, por ama si protagonist negativ sipas fabulës “ai politikan kishte të ardhme në politikë, por bëri lëvizjen e gabuar që dëgjoi turmat dhe nuk dëgjoi ekspertët”.

Në nivel metaforash mund të thuhet se nëpërmjet populizmit, populli mbart mëkatin e zgjedhjes, teksa politikani heq nga vetja mëkatin e të zgjedhurit. Për rrjedhojë, duke u marrë me fenomenin e populizmit, shoqëria shqiptare nuk ka më nevojë të reflektojë për problemet e saj të shumta (që nga klientelizmi, nepotizmi, patronazhi, qokat, korrupsioni, sahanlëpirjet ndaj liderit etj.), por të paktën mund të ëndërrojë se meqenëse i paskemi edhe ne të njëjtat simptoma si demokracitë evropiane, atëherë më në fund qenkemi bërë edhe ne si e gjithë Evropa.

Exit mobile version