Kosova është më fat që, përveç disa lojtarëve që luajnë më kampionate dhe klube të rëndësishme, në gjirin e saj ka edhe një ‘diamant’ si Edon Zhegrova.
Sulmuesi i krahut te klubi i njohur francez, Lille, përveç talentit të pakontestueshëm, duket se këtë vit është pjekur, është lojtarë më i matur, vrapon më shumë, lufton më shumë, asiston më shumë, por çfarë është më e rëndësishmja, shënon më shumë.
Ai në përballjen e sotme mes Lille dhe Lens, i njohur si ‘Derby du Nord’ në Francë, vendosi takimin, duke shënuar dy gola që i sollën fitoren skuadrës së tij me rezultat 2-1.
Le but d'Edon Zhegrova 🇽🇰 en 4 clichés 📸⚡️
Qu'avez vous pensé de la première période du lillois ? 💬#LOSCRCL (1-0) pic.twitter.com/b0MePIICQj
— Ligue 1 Uber Eats (@Ligue1UberEats) March 29, 2024
Në Ligue 1, ai ka pesë gola dhe pesë asistime, ndërsa në total në të gjitha garat, ‘Luani i Kosovës’ ka 11 gola dhe 9 asistime.
Pra pjesëmarrje në 20 gola të Lille në këtë sezon, që e bëjnë atë njërin nga lojtarët kryesor të ekipit, shkruan Telegrafi.
Trajneri i Lille, Paulo Fonseca, është në vitin e dytë si timonier në klubin francez, por në këtë sezon, i ka dhënë shumë më shumë hapësirë dhe besim djaloshit nga Prishtina.
Madje në fillim të këtij sezoni, Fonseca, që beson shumë në aftësitë e Zhegrovës, kërkonte nga ai më shumë përfshirje në lojë, më shumë angazhim dhe lojë në mbrojtje kur është nevoja.
Statistikat e vrapimit këtë sezon, tregojnë se Edon Zhegrova është më i përfshirë në lojën e skuadrës, ndërsa përqafimet që mori nga bashkëlojtarët sonte në fund të ndeshjes, pas fitores ndaj Lens, tregojnë se sa shumë besojnë në talentin e tij, shkruan Telegrafi.
Të kthehemi aty ku ne duam sukses dhe na dhemb më shumë, te Kosova. Aty ku Edoni u kthye dhe luajti në dy ndeshjet ndaj Armenisë dhe Hungarisë.
Pak u fol për të, por ishte më i miri në dy takimet, ku u vërejt që edhe te Kosova është gati të marr përgjegjësi më shumë.
Kur disa nga yjet kryesorë të Kosovës si: Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica dhe Valon Berisha, janë në vitet e fundit të karrierës të niveleve të larta, shtrohet pyetja: a ka ardhur që lider në ekipin e Franco Fodas të jetë Edon Zhegrova?
Driblimet, golat dhe asistimet, tregojnë që ai meriton më shumë, trajtim më të mirë, ndërsa kritikat që kishin ardhur më herët, të mos harrojmë se ishin për një djalosh që ishte në fillim të 20-ave të tij.
Tani me 24 vjet, Zhegrova është gati. Është gati të marr përgjegjësi dhe ta dërgojë Kosovën përpara, pse jo për të plotësuar një ëndërr, atë që një ditë të luajmë në Kampionatin Evropian, apo Kupën e Botës.
Kosova është me fat që ka një diamant si Edon Zhegrova!