Presidenti i Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang, do të kandidojë sërish për postin në zgjedhjet e nëntorit, me gjasë duke zgjatur mandatin 43-vjeçar që filloi me një grusht shteti ushtarak në vitin 1979.
Sipas organizatave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimi i Obiang u karakterizua nga torturat e kundërshtarëve politikë, zgjedhjet e falsifikuara dhe korrupsioni. Obiang ka mohuar vazhdimisht akuzat e tilla.
Nën drejtimin e tij, ky vend i Afrikës Perëndimore u bë i izoluar dhe i varur nga shitja e naftës dhe gazit, të cilat sigurojnë rreth tre të katërtat e të ardhurave të shtetit. Raportet nga organizatat joqeveritare thonë se paratë mbushin xhepat e njerëzve të afërt me presidentin, ndërsa shumica e njerëzve jetojnë në varfëri, raporton reuters.
Djali i tij, nënpresidenti Teodoro Nguema Obiang Mangue, njihet si njeri që i pëlqen festat, veturat e shpejta dhe bizhuteritë ndërsa u dënua për përvetësim nga një gjykatë franceze në vitin 2020, njoftoi në Twitter të premten se babai i tij u nominua “për karizmën, udhëheqjen dhe përvojë politike”.
Një mandat tjetër do të sjellë sfida të reja. Ekonomia është frenuar nga COVID-19 dhe rënia e çmimeve të naftës, megjithëse lufta në Ukrainë dhe nevoja për naftë dhe gaz jo-rus mund të nxisin ekonominë e këtij vendi të Afrikës Perëndimore.
Varfëria është ende e përhapur dhe ishte veçanërisht e dukshme vitin e kaluar, kur një seri shpërthimesh shkatërruan një pjesë të qytetit bregdetar të Batës, duke vrarë rreth njëqind njerëz. /Telegrafi/