Site icon Telegrafi

Juventusit nuk i mjafton spektakli i Ronaldos, eliminohet nga Lyoni

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Juventusi është eliminuar nga Liga e Kampionëve në fazën e të tetës së finales, përkundër fitores ndaj Lyonit në ndeshjen kthyese (2-1) në Torino.

Bianconerët e kishin humbur me rezultat 1-0 takimin e parë në Francë, ndërsa me gjithë fitoren në sfidën kthyese, Lyoni kualifikohet në çerekfinale falë golit në terren mysafir.

Një gabim i Rodrigo Bentacur u kushtoi vendasve me penallti, ndërsa Memphis Depay realizoi me panenka për epërsinë e ekipit francez (12’).

Nikoqirët vazhduan të rrezikonin përmes Federico Bernardeschi dhe Cristiano Ronaldo, ndërsa pas një gjuajtje të lirë të këtij të fundit, Depay e preku topin me dorë në zonë dhe pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari akordoi penallti.

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images)

Përgjegjësinë e mori CR7 dhe e ekzekutoi për mrekulli njëmbëdhjetëmetërshin duke e dërguar portierin në anën e kundërt (43’).

Zonja e Vjetër hyri në pjesën e dytë me ide të qartë se duhej t’i shënonte dy gola për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Superylli Ronaldo mori një top nga jashtë zonës, krijoi hapësirë dhe goditi me të majtën, portieri mysafir nuk arriti ta ndalte (60’).

35-vjeçari vazhdoi të pasonte për bashkëlojtarët dhe të rrezikonte, mirëpo bardhezinjtë nuk ia dolën ta shënonin golin që dërgonte tutje.

(Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Për më shumë, Paulo Dybala i zhvilloi vetëm disa minuta dhe u lëndua sërish për ta lëshuar fushën. Është një tjetër sezon zhgënjyes për Juventusin në Ligën e Kampionëve, garë të cilën kërkon ta fitojë qe disa edicione.

Në çerekfinale, Lyoni do të luajë kundër Manchester Cityt që në 1/8 e finales e eliminoi Real Madridin. /Telegrafi/

Exit mobile version