Telegrafi

Juventusi do ta mësojë vendimin për heqjen e pikëve më 22 maj

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, seanca e ardhshme dëgjimore nga Gjykata Federale e Apelit për një dënim me pikë të Juventusit do të jetë më 22 maj, duke e bërë të mundshme që çdo dënim të zbatohet për sezonin aktual.

Bianconerët kishin bërë një apel kundër dënimit prej 15 pikësh, i cili u pranua pjesërisht më 20 prill nga “Collegio di Garanzia”.

Kjo anuloi përkohësisht dënimin prej 15 pikësh dhe e ktheu çështjen në Gjykatën Federale të Apelit, duke kërkuar sqarime të mëtejshme dhe ndryshime bazuar në provat e reja.

Gjykata konfirmoi verdiktin bazë se Juventus shkeli nenin 4 në sistemin e drejtësisë sportive, atë që mbulon lojën e ndershme.

Prandaj, klubi u shpall fajtor për rritje artificiale të tarifave të transferimeve për të rritur fitimet kapitale dhe për të balancuar librat, me qëllimin për të përmirësuar rezultatet e tyre sportive.

Lexo po ashtu Iu rikthyen 15 pikët, por sa pritet t'i hiqen Juventusit me vendimin final

Kjo do të thotë se një dënim me pikë është ende pothuajse i sigurt dhe ka shumë të ngjarë të jetë nëntë pikë, shifra që kishte kërkuar fillimisht prokurori i FIGC Giuseppe Chine.

Çështja kryesore tani është nëse dënimi do të zbatohet për sezonin 2022/23 apo do të shtyhet deri në sezonin 2023/24.

Nëse çështja dëgjohet më 22 maj, duket se dënimi do të jetë për sezonin aktual, duke e lënë Juventusin jashtë nga vendet e Ligës së Kampionëve.

Juventusi aktualisht ka 66 pikë dhe nëse vendoset që t’i largohen nëntë pikë, atëherë do të binte në pozitën e shtatë me 57 pikë, kur kanë mbetur edhe katër xhiro. /Telegrafi/