Telegrafi

Juventusi fiton me rikthim ndaj Parmas

(Foto: Twitter/Forza Juventus)

Juventusi është kthyer nga disavantazhi për të triumfuar përballë Parmas (3-1) në ndeshjen e xhiros së 32-të në Serie A që u zhvillua në Allianz Stadium.

Gaston Brugman ishte i jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë duke dërguar një top të pandalshëm drejt portës së Gigi Buffon.

Mirëpo, dy minuta pa përfunduar pjesa e parë (43’), Matthijs de Ligt asistoi me kokë drejt Alex Sandros, i cili e ngriti topin në vole dhe e barazoi rezultatin me një gol të bukur.

(Foto: Twitter/Forza Juventus)

Porsa filloi gjysma e dytë (47’), ishte sërish Alex Sandro që priti një harkim të Juan Cuadrados dhe realizoi me kokë.

Pas një tjetër harkimi të Cuadrados, kësaj radhe nga goditja nga këndi, De Ligt shënoi me kokë golin e sigurisë (68’).

Standings provided by SofaScore LiveScore

Me këtë fitore, Juventusi është ngritur në vend të tretë me një pikë më shumë se Atalanta dhe pesë më shumë se Napoli, ndërsa këto dy skuadra nuk i kanë zhvilluar akoma ndeshjet e kësaj xhiroje.

Parma mbetet në kuotën e 20 pikë dhe në vend të parafundit në tabelë, ashtu që në sezonin e ardhshëm pritet të luajë në Serie B. /Telegrafi/