Telegrafi

Juventusi fiton me rezultat bindës ndaj Spezias, Ronaldo shkëlqeu me dy gola në rikthimin e tij pas shërimit nga coronavirusi

Juventusi e ka mposhtur 4-1 Spezian në kuadër të javës së gjashtë në Serie A.

Pas vetëm 14 minutash lojë, Zonja e Vjetër kaloi në epërsi me anë të Alvaro Moratas, derisa asistues ishte Weston McKennie.

Sulmuesi spanjoll arriti që të shënonte edhe golin e tij të dytë në këtë takim në minutën e 24-të, mirëpo ajo u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

Spezia arriti të këndellej, duke shënuar golin e barazimit me anë të Tommaso Pobega (32’) për rezultatin 1-1.

Pjesa e parë përfundoi me këto dy gola të shënuara, derisa e dyta ishte edhe më dinamike.

Cristiano Ronaldo arriti që t’i rikthente epërsinë Juventusit në minutën e 59-të, duke kaluar portierin kundërshtar, ndërsa Morata ishte në rolin e asistuesit.

Kampioni në fuqi i ligës italiane nuk u ndal me kaq dhe realizoi edhe golin e tretë me anë të Adrien Rabiot (67’), me një asistim të Federico Chiesas.

Më pas, Biankonerët fituan edhe një penallti në minutën e 76-të, gjersa atë në gol e konvertoi Ronaldo, që ishte goli i tij i dytë në këtë takim.

Ylli 35-vjeçar realizoi këto dy gola, pas më shumë se dy javësh mungese te Juventusi, shkaku që ishte infektuar me coronavirus në ndeshjet ndërkombëtare me Portugalinë.

Pas javës së gjashtë, Juventusi gjendet në pozitën e dytë me 12 pikë, katër më pak se lideri, Milani, ndërsa në xhiron e shtatë do të kenë punë me Lazion. /Telegrafi/