Telegrafi

Juventusi e mbyll sezonin e Serie A me humbje nga Roma

Juventus-Roma (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Juventusi është mposhtur në shtëpi me rezultat 3-1 nga Roma në ndeshjen e fundit të sezonit 2019/20 në Serie A.

Zonja e Vjetër ka fituar matematikisht titullin kampion në Serie A për këtë sezon dhe ndeshjet e fundit i ka luajtur pa motiv, duke lejuar disa humbje.

E fundit erdhi nga Roma, pasi trajneri Maurizio Sarri kishte vendosur të luajë me lojtarë të ekipit të dytë dhe nga ekipi i të rinjve.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë, por Roma arriti të shënojë dy gola, kundrejt një të Juventusit.

Megjithatë, vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të Gonzalo Higuain, i cili shënoi në minutën e pestë për 1-0.

Roma arriti të kthehet në lojë në minutën e 23-të duke barazuar 1-1 me anë të Nikola Kalinic, ndërsa Diego Perotti (44’) shënoi nga penalltia për 1-2.

Në pjesën e dytë, u zhvillua përsëri lojë e barabartë, por vetëm kryeqytetasit arritën ta gjejnë golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 52-të dhe ishte Perotti, i cili shënoi për 1-3 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Në këtë ndeshje për Juventusin debutoi edhe lojtari shqiptar, Giacomo Vrioni që u inkuadrua në lojë në minutën e 79-të në vend të Higuain.

Juventusi e mbylli sezonin e Serie A në vendin e parë me 83 pikë, ndërsa Roma e pesta me 70 pikë. /Telegrafi/