Telegrafi

Juventusi barazon me Crotonen, debutim i hidhur për Chiesan

Juventusi nuk ka mundur të marr më shumë se një barazim me Crotonen, ku ndeshja e vlefshme për javën e katërt u mbyll 1-1.

“Zonja e Vjetër” këtë ndeshje vinte me shumë mungesa, ku në krye të tyre ishte Cristiano Ronaldo, që është i prekur me COVID-19.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit që fituan penallti në minutën e 11-të, kur Leonardo Bonucci pengoi një sulmues të Crotones në zonë.

Simy ishte i saktë përballë Gianluigi Buffon nga pika e bardhë për epërsinë 1-0.

 

Juventusi e gjeti golin vetëm pas pak minutash.

Alvaro Morata shënoi nga afër për 1-1, pas një asistimi të bukur të Federico Chiesas, që debutoi me fanellën e Zonjës së Vjetër.

 

Pjesa e parë nuk solli më shumë raste dhe skuadrat me rezultat të barabartë shkuan në pushim.

Chiesa e la Juventusin me 10 veta, pasi mori karton të kuq pas një ndërhyrje të rëndë në mesfushë.

 

Bardhëzinjtë gjetën golin në minutën e 76-të, kur Juan Cuadrado pasoi në zonë te Morata, i cili shënoi për 2-1.

Pas disa minutash ky gol u anulua nga VAR, pasi spanjolli ishte në pozitë jashtë lojës.

Deri në fund nuk kishte më gola dhe ndeshja u mbyll baras.

Pas këtij barazimi Juve ka tetë pikë, katër më pak se lideri Milan. /Telegrafi/