Site icon Telegrafi

Juventus-Napoli: Çfarë po ndodh me ndeshjen, si parashikohet të veprohet me protokoll dhe a po rrezikohet mbarëvajtja e Serie A

Napoli është bllokuar të udhëtojë për në Torino, kështu që ndeshja e programuar për të dielën në mbrëmje ndaj Juventusin do të shtyhet, ndërsa këta të fundit kanë kërkuar që ndeshja të zhvillohet në orarin e paraparë.

Situata ndryshoi pasi te Napoli dolën tre raste me COVID-19, prej tyre dy lojtarët Piotr Zielinski dhe Eljif Elmas dhe një anëtar i stafit.

Këto raste erdhën pas ndeshjes ndaj Genoas që u zhvillua të dielën e ku fituan 6-0.

Që nga ajo ndeshje te Genoa janë regjistruar 22 raste në skuadër, përfshirë 17 lojtarë, shumica e të cilëve luajtën kundër Napolit.

 

Duke marrë parasysh kontaktin e ngushtë që lojtarët e Napolit kishin me Genoan, që po përballet me një shpërthim kaq serioz të coronavirusit, autoriteti lokal shëndetësor (ASL) ua ka ndaluar atyre të udhëtojnë jashtë rajonit, që i bie për në Torino.

Kjo pasi udhëtimi do të bëhej me aeroplan dhe konsiderohet rrezik i madh shëndetësor, pasi COVID-19 ka një periudhë të gjatë inkubacioni, kështu që njerëzit mund ta kenë atë për disa ditë, pa ndonjë simptomë ose të rezultojnë negativë.

Çfarë do të ndodh me ndeshjen?

Lega Serie A e ka miratuar protokollin e UEFA-s për trajtimin e shpërthimeve të COVID-19.

Sipas protokollit nëse një ekip ka në dispozicion 13 lojtarë, përfshirë të paktën një portier, ndeshja duhet të zhvillohet.

Në teori, kjo do të thotë që Napoli do të humbiste ndeshjen me rezultat zyrtar 3-0.

Sidoqoftë, mos-zhvillimi i ndeshjes nuk është zgjedhje e Napolit dhe nëse merret ndonjë vendim në dëm të tyre, ata mund ta argumentojnë se ka qenë vendim i marrë nga autoritetet lokale të shëndetit që ata të mos udhëtojnë dhe nuk ishte në kontrollin e tyre.

Një tjetër gjë që e ndihmon Napolin është se në rregullat e Lega Serie A, thuhet se protokolli i tyre është miratuar, por aty përmenden edhe “veprimet eventuale nga autoritetet lokale”.

Sa i përket ndeshjes, zyrtarisht nuk është anuluar ende, pasi në teori Napoli mund të udhëtojë edhe në mëngjes dhe të jetë gati për ndeshjen që është paraparë të zhvillohet të dielën nga ora 20:45.

Juve kërkon që ndeshja të zhvillohet

Juventusi lëshoi një ​​deklaratë këtë mbrëmje (e shtunë), ku kërkon që ndeshje të zhvillohet në orarin e paraparë.

“Klubi i Futbollit Juventus njofton se ekipi i parë do të dalë në fushë për ndeshjen Juventus-Napoli nesër në 20:45, siç parashikohet nga kalendari i Ligës Serie A”, thuhet në njoftim.

 

Rasti Genoa dhe rreziku i ndërprerjes së kampionatit

Javën e kaluar, Genoa bëri të njëjtën gjë, duke e shtyrë ndeshjen për disa orë.

Shqetësimi tjetër është se Juventus-Napoli nuk mund të shtyhet realisht për të hënën për shkak se lojtarët do të udhëtojnë me kombëtare.

Tani është duke u bërë gjithnjë e më e qartë se mungesa e një protokolli të saktë dhe të konfirmuar të Serie A për t’u marrë me çështjet e COVID-19 do të krijojë konfuzion dhe polemikë.

Ka mediume madje që shkruajnë se Serie A mund të ndërpritet, pasi rastet janë të shumta. /Telegrafi/

Exit mobile version