Telegrafi

Juve vazhdon me fitore

Ndeshja kryesore e javës së tretë në Serie A, e zhvilluar të shtunën mbrëma në Stadio Olimpico të Romës, ndërmjet Lazios dhe Juventusit, ka përfunduar me fitoren e Zonjës së Vjetër me rezultat 2-0.

Lazio u tregua kundërshtar i vështirë përballë Bianconerëve, madje në momente të caktuara vuri në vështirësi mysafirët nga Torino.

Mirëpo, bardhezinjtë arritën që në njëzet minutat e fundit të takimit të shënojnë dy herë dhe të nxjerrin tri pikë të plota nga kjo përballje.

Mbrojtësi i huazuar nga Barcelona, Martin Caceres, shfaqi një lojë të shkëlqyer me fanellën bardhezi duke shënuar golin e parë dhe vendimtar në ndeshje, i cili ia dha epërsinë skuadrës mysafire (72’).

Në minutat shtesë të ndeshjes (90’+4), pas tentimit të Amaurit, topi shkoi te David Trezeguet, i cili me ndihmën e portierit Muslera shënoi golin e dytë që fundosi shpresat e Lazios për barazim.

Në këtë ndeshje, Juventusit iu lënduan dy transferimet e sivjetme, Diego (44’) dhe Fabio Grosso (87’), të cilët u zëvendësuan me Sebastian Giovincon dhe Cristian Molinaron, respektivisht.