Juventusi pritet t’i ofrojë kontratë të re Mario Mandzukicit, pas paraqitjeve mbresëlënëse në fillim të sezonit të ri.
Sulmuesi kroat luajti në finale të Kampionatit Botëror dhe porsa u kthye te Bianconerët, menjëherë është treguar i rëndësishëm për skuadrën.
Ai nuk ka pasur shumë kohë për t’u stërvitur, mirëpo ka luajtur në të dyja ndeshjet e para në Serie A.
Në sfidën e parë kundër Chievos u inkuadrua nga banka rezervë dhe menjëherë ndikoi në ndryshimin e lojës së Juves.
Ndërsa Massimiliano Allegri e angazhoi nga minuta e parë në takimin kundër Lazios, në të cilin e shënoi njërin nga dy golat e bardhezinjve.
Mandzukic ka kontratë deri në vitin 2020, mirëpo calciomercato.it bën të ditur se kontrata mund t’i zgjatet më shumë.
Duke qenë se klube të ndryshme e kishin kërkuar gjatë verës, Zonja e Vjetër dëshiron që ta lidhë sulmuesin më gjatë me klubin, ashtu që pritet t’i ofrohet vazhdim i kontratës së paku edhe për një vit më shumë. /Telegrafi/