Ndeshja e Serie A ndërmjet Juventusit dhe Napolit është në rrezik të shtyrjes për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.
Varianti Omicron ka çuar në rritjen e masave kufizuese nëpër Evropë në javët e fundit, ndërsa nuk është kursyer as bota e futbollit.
Meqenëse shumë lojtarë nga ligat kryesore kanë rezultuar pozitivë, disa ndeshje janë anuluar, ndërsa ka pasur skuadra që kanë refuzuar të luajnë edhe pse i kanë humbur ndeshjet me rezultat zyrtar.
Juventusi është nikoqir i Napolit më 6 janar, pas pushimit për festat e fundvitit, mirëpo ekziston mundësia e shtyrjes së asaj ndeshjeje për shkak të rritjes së rasteve pozitive te futbollistët e Serie A.
Njëri nga autoritetet shëndetësore të Napolit, Antonio D’Amore, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e ndërmarrjes së masave për parandalimin e përhapjes së virusit duke thënë se ekziston shqetësim i madh lidhur me variantin Omicron. /Telegrafi/