Juventusi ka arkëtuar pikë të plota kundër Crotones në fitoren prej 3-0 të realizuar para tifozëve në Torino.
Përkundër dominimit dhe lojës më të mirë në gjysmën e parë, Bianconerët nuk ia dolën të shënonin.
Mirëpo, gjërat ndryshuan në gjysmën e dytë, gjatë të cilës skuadra vendase e gjeti tri herë rrjetën.
Pas një harkimi të Andrea Barzaglit, Mario Mandzukic kërceu më lartë për të realizuar me kokë (52’).
Vetëm tri minuta pasi hyri në fushë, Mattia De Sciglio priti një top të kthyer dhe goditi nga jashtë zonës për ta dërguar në rrjetë (60’).
Në vazhdim i erdhi radha të shënonte edhe Medhi Benatias, i cili priti një top të kthyer dhe e futi në rrjetë (71’).
Pas kësaj fitoreje, Juventusi është në vend të tretë me 34 pikë, nga 11 fitore, një barazim dhe dy humbje.
Lideri Napoli ka 38 pikë, ndërsa Interi numëron 36 pikë në vend të dytë në tabelë. /Telegrafi/