Juventusi fitoi ndaj Napolit në San Paolo me rezultat 2-1 në derbin e xhiros së 26-të në Serie A.
Vendasit ishin më të mirë, por Zonja e Vjetër me përvojën e tyre në ato pak raste që kishte u tregua konkrete.
Rastin e parë në ndeshje e kishte Napoli me anë të Piotr Zielinskit (11′), por ishin vendasit që në minutën e 25-të mbetën me një lojtar më pak. Ishte portieri Alex Meret që u përjashtua me të kuq pas ndërhyrjes në Cristiano Ronaldon.
Këtë gjë Juve e shfrytëzoi mirë, ishte Miralem Pjanic që shënoi gol të bukur nga gjuajta e lirë në minutën e 28-të.
Në vazhdim napolitanët tentuan golin me anë të Zielinskit dhe Lorenzo Insignes, por ishte Emre Can ai që gjeti golin për kampionët aktual të Serie A dhe me rezultatin 0-2 përfundoi pjesa e parë.
Pjesa e dytë filloi me një përjashtim, ishte Pjanic që u detyrua të lë fushën pas kartonit të dytë të verdhë, boshnjaku preku topin me dorë dhe gjyqtari e cilësoi si të qëllimshme.
Golin e vetëm në këtë ndeshje për Napolin e shënoi Jose Callejon në minutën e 61-të. Në vazhdim vendasit kishin shumë raste shënimi, por Wojciech Szczesny bëri disa pritja të mira.
Në minutën 84 ishte Insigne ai që dështoi nga pika e bardhë, duke lëshuar kështu një mundësi të artë për të barazuar rezultatin.
Pas kësaj fitore Juventusi vazhdon në krye të Serie A me 72 pikë, 16 më shumë se Napoli në vendin e dytë, tregues që tashmë titulli është në dorën e tyre.
Në xhiron e radhës klubi nga Torino luan ndaj Udineses, ndërsa Napoli kundër Sassuolos. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=6RxCHmpG_Ug