Telegrafi

Juve fiton kur duhet, rrëmben Superkupën

Bianconerët ishin më të mirë që nga fillimi i ndeshjes, edhe pse në fraksionin e parë përballja më e madhe u realizua në mesfushë, ku edhe Biancocelestët nuk lëshonin pe.

Claudio Marchisio u ankua për lëndim dhe ia lëshoi vendin Paul Pogbas, i cili porsa shkeli në fushë shënoi me rrotullim (23’), pas një gjuajtjeje të lirë të ekzekutuar në formë skeme nga futbollistët me fanellat bardhezi.

Fillimi i pjesës së dytë ishte mahnitës nga Juve. Vidal pasoi te Lichtsteiner, i cili krijoi hapësirë dhe asistoi te Giorgio Chiellini, ky i fundit e dyfishoi epërsinë (52’).

Pas kombinimit me me Mirko Vucinicin, Stephan Lichtsteiner e la të pashpresë Marchettin (54’).

Për qershinë mbi tortë u përkujdes transferi i ri, Carlos Tevez, i cili shënoi golin e katërt pas goditjes së Pogbas (56’).

Juventusi nuk e fitoi asnjërin nga takimet miqësore parasezonale duke ngjallur dyshime në forcën e skuadrës. Por ky triumf dëshmon të kundërtën. /Telegrafi/