Juventusi është kthyer nga disavantazhi për ta mposhtur Lazion (2-1) në Stadio Olimpico, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në Serie A.
Skuadra vendase ka bërë lojë fantastike në pjesën e parë duke e rrezikuar vazhdimisht portën kundërshtare, mirëpo nuk arriti ta gjente rrjetën.
Wallace, Marco Parolo e Ciro Immobile, janë disa prej futbollistëve që e testuan Wojciech Szczesnyn, por portieri mysafir bëri disa pritje të mrekullueshme.
Nikoqirët vazhduan të luanin më mirë edhe në minutat e para të gjysmës së dytë dhe pas një aksioni, rezultati u zhbllokua përmes një autogoli të Emre Can (59′).
Biancocelestët vazhduan të luanin mirë dhe rrezikuan sërish përmes Ciro Immobile dhe Luis Alberto, por derisa minutat po kalonin, rrjedha e lojës ndryshoi.
Inkuadrimi i Joao Cancelos në lojë ndryshoi gjithçka. Mbrojtësi i krahut e barazoi rezultatin (78′) pas një topi të kthyer nga goditja e Paulo Dybalas.
Pikërisht një ndërhyrje në Cancelon në zonë, gjyqtari e ndëshkoi me penallti, ndërsa Cristiano Ronaldo u tregua i saktë nga pika e bardhë (88′).
Juventusi vazhdon të jetë lider i pakontestueshëm në Serie A me 59 pikë, 11 pikë më shumë se përcjellësi i parë, Napoli.
Lazio pozicionohet në vend të tetë në tabelë me 32 pikë të arkëtuara nga nëntë fitore, pesë barazime dhe shtatë humbje.
Në xhiron e ardhshme, Zonja e Vjetër luan kundër Parmas, ndërsa kryeqytetasit kanë për kundërshtar Frosinonen. /Telegrafi/