Site icon Telegrafi

Jusuf Buxhovi, autografe për lexuesit e tij në librarinë Dukagjini

Mbrëmja e së hënës librarinë “Dukagjini”, në kryeqytet e gjeti me dyer të hapura për shumë lexues e dashamirë të librit, por këtë ditë me theks të veçantë ishin adhuruesit e autorit Jusuf Buxhovi apo më mirë të themi adhuruesit e librit e shkrimit të tij kritik për historinë e Kosovës.

“Kosova”, një vepër me pesë vëllime e cila u ribotua në nëntor të vitit që e lamë pas, sot në librarinë “Dukagjini”, të gjithë ata që donin ta kenë këtë komplet në dorë patën mundësinë ta merrnin me 50% zbritje, e përveç kësaj ata patën mundësinë edhe të takohen nga afër me autorin Buxhovi, jo vetëm ta kenë nënshkrimin e tij në vepër por edhe të diskutojnë me të në lidhje me atë se si e ka paraqitur Jusuf Buxhovi historinë e Kosovës në një mënyrë shumë të veçantë.

“Kosova-Antika, Kosova-Mesjeta”, “Kosova-Perandoria osmane”, “Kosova 1913-1945” dhe vëllimi i pestë “Kosova-1945-1999”, është botuar nga dy shtëpitë botuese “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”, ku drejtuesi i kësaj të parës-Nazmi Rrahmani, në emër të të dyja shtëpive botuese tha se ka qenë nder për të ta realizoj këtë vepër, e cila ka zgjuar interes të madh tek lexuesit dhe te kritika si brenda dhe jashtë Kosovës.

“Karakteristikë e rrallë e këtij botimi është se historinë tonë, Jusuf Buxhovi e paraqet në një periudhë shumë të gjatë e më të hershme se sa që e tërë historiografia jonë deri tash e ka paraqitur. Këtë promovim e kemi paramenduar më ndryshe, dhe këso lloj promovimesh bëjnë libraritë e mëdha të cilët janë të interesuar për librin dhe për autorët e librit, dhe natyrisht për afirmimin e veprave të këtilla”, u shpreh para të pranishmëve Nazmi Rrahmani.

Ndërsa për vetë autorin kjo ishte një risi sepse është hera e parë për të që bënë një promovim të kësaj natyre, dhe po sipas Jusuf Buxhovit kjo është me një rëndësi të veçantë, sepse është një kontakt i afërt me lexuesit dhe adhuruesit e shkrimit të tij.

“Kjo përvojë është e qyteteve dhe metropoleve evropiane e botërore, e po më vjen mirë që “Dukagjini” si një qendër e librit e ka një imazh por me këtë e ka forcuar edhe më tepër. Ky promovim do të jetë poashtu i dobishëm edhe për ata që do të furnizohen, ku autori dhe botuesi ka dhënë një zbritje prej 50%, pra këtu është vetëm çmimi i shtypshkronjës, dhe do të ketë libra për të gjithë të interesuarit”, tha ndër të tjera Buxhovi i cili për librin u shpreh se është një pamje autoriale e historisë, pra e historisë kritike.

Krejt për fund, pas këtyre fjalëve që u dëgjuan me shumë vëmendje, autori filloi edhe nënshkrimet dhe bashkëbisedimin me të gjithë ata që kishin zgjedhur ta blejnë sot librin./KultPlus.com/

Exit mobile version