Site icon Telegrafi

Justifikimet e Serbisë për rastin e vëllezërve Bytyqi janë “gjepura”

Foto: EPA

Familjarë të vëllezërve të vrarë Bytyqi thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe qeveria e tij do të shpikin gjithmonë justifikime për të mos vënë drejtësi për rastin e tyre.

Komentet vijnë si reagim ndaj një letre të raportueses së posaçme të Kombeve të Bashkuara për ekzekutime jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard, e cila ka kritikuar ashpër mënyrën se si Serbia e ka trajtuar rastin e vëllezërve Bytyqi.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

“Është e qartë se Qeveria juaj e ka për obligim, në bazë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe instrumenteve ligjore vendase, të hetojë përgjegjësinë penale të komandantëve dhe eprorëve, përfshirë Goran Radosavleviqin dhe Vllastimir Gjorgjeviqin”, ka shkruar Callamard në një letër dërguar autoriteteve serbe në muajin mars.

“Më në fund, doktor Callamard i ka ekspozuar justifikimet e tyre që janë gjepura”, tha Ilir Bytyqi, vëllai i tre të vrarëve, në një reagim dërguar mediave të enjten.

Serbia u është përgjigjur hetimeve fillestare të raportueses së posaçme të Kombeve të Bashkuara në korrik të vitit 2019, duke thënë se nuk ka mundur të ndjekë penalisht rastin e vëllezërve Bytyqi dhe asnjë krim tjetër të kryer gjatë viteve 1990, nën përgjegjësinë e komandës, sepse Kodi Penal i Serbisë nuk ka përfshirë dispozitën për përgjegjësinë e tillë deri në vitin 2006.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, u referohet fakteve për përfshirje në vrasje edhe të ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, dhe të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri. /Rel/

Exit mobile version