Site icon Telegrafi

Juristët: Për ndryshimet kushtetuese duhet të krijohet ambient politik

“Kushtetuta nuk e ndryshon ambientin politik, por ambienti politik jep mundësi për ndryshimin e Kushtetutës”.

Kështu ka deklaruar juristi dhe hartuesi i Kushtetutës, Hajredin Kuqi, derisa ka folur për rrugën e këtyre ndryshimeve.

“Ndryshimet kërkojnë 2/3 e votave të minoriteteve serbe dhe jo serbe. Nëse kemi probleme me integrimin e pjesës veriore, njohjen e pesë vendeve të BE-së, atëherë këto i ndryshon politika”, është shprehur Kuqi.

Edhe për ish gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për ndryshimet e Kushtetutës post-Ahtissari’ane, duhet të krijohet një ambient i duhur politik.

”Ka ardhur momenti, kanë kaluar 20 vjet pas çlirimit që ta bëjmë këtë ndryshim. Është legjitim. Krejt bota e bën këtë. Është situatë stereotipe dhe depresive. Mund të ndryshohet me kushtetutë. Duhet të ndryshojë ambienti politikë. Kushtetuta nuk është vetëm akt juridik, por edhe akt politik”, ka thënë Kryeziu në Klan Kosova.

Sa i përket çështjes së kufijve ai ka thënë se ata gjithmonë kanë qenë të imponuar dhe asnjëherë sipas vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

“Askund në dispozita e përgjithshme nuk shkruan se ku është kufiri i Kosovës dhe sa kilometra ka”.

Kurse njohësi i rrethanave kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë se për marrëveshjen me Serbinë, Kushtetuta nuk paraqet asnjë problem.

“Bazën kushtetutare e kemi, e kemi ligjin për marrëveshje ndërkombëtare. Përmbajtja e marrëveshjes është çështje tjetër. Kushtetuta është fillimisht dhe kryesisht dokument politik, kurse juridikja e rregullon. Sa i përket marrëveshjes me Serbinë s’ka nevojë që të ndryshojë Kushtetua”, ka thënë Smaka në Zona B.

 

Ai ka thënë se korrigjimi i kufirit bëhet gjatë procesit të demarkacionit. Smaka ka shtuar se me asnjë kushtetutë të së kaluarës kufiri i Kosovës nuk ka qenë i caktuar.

“Territori i Kosovës përbëhet nga territoret e komunave të veta”.

Exit mobile version