Site icon Telegrafi

​Juristët: Gjykimi për sulmin në Banjskë, kompleks dhe sfidues

Vetëm një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit terrorit në Banjskë të Zveçanit, pritet të nis gjykimi ndaj 45 të akuzuarve. E ky proces gjyqësor nga juristët po vlerësohet kompleks por edhe sfidues për drejtësinë vendore.

Numri i madh i të akuzuarve të përfshirë në aktakuzë, por edhe vështirësia për t’i sjell në gjykatore 42 të akuzuarit, po konsiderohen sfida të cilat do e përcjellin këtë proces gjyqësor.

Problematike për ecurinë e procesit gjyqësor në rastin e sulmit terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator 2023, po konsiderohet edhe mungesa e bashkëpunimi në çështjet penale në mes Kosovës dhe Serbisë dhe refuzimi nga ana e avokatëve shqiptar për t’i mbrojtur personat e nacionalitetit serb që akuzohen për terrorizëm.

Për juristin Artan Çerkini të vështirë këtë proces e bënë edhe llojllojshmëria e veprave penale që dyshohet se janë kryer nga terroristët serbë, por edhe plotësimi i kushteve ligjore për të proceduar në gjykimin në mungesë.

“Natyrisht është një rast shumë kompleks çdo procedurë penale e cila duhet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve është komplekse. Për më shumë ky rast është kompleks për shkak të vetë llojeve të veprave penale të cilat pretendohet se janë kryer nga të akuzuarit, sfidë në vete do të jetë edhe plotësimi i kushteve ligjore për të proceduar tutje në gjykim në mungesë sepse sipas Kodit të Procedurës Penale do të mund të procedohet në gjykim në mungesë vetëm nëse të pandehurit akuzohet për veprën penale të vrasjes së rëndë, ngase për veprat tjera është procedurë tjetër që duhet të ndiqet për gjykim në mungesë. Natyrisht sfidë në vete do të jetë edhe vetë organizimi i procesit gjyqësor ku të pandehurit do të përfaqësohen nga avokatët, mirëpo avokatët nuk do t’i kenë klientët prezent në mënyrë që t’i marrin instruksionet për realizimin e mbrojtjes”, tha ai.

E ekstradimi i 42 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të cilët janë në arrati për Çerkinin është pak i besueshëm.

“Ekstradimi i të akuzuarve në Kosovë është pak I besueshëm nuk është i pamundur varet edhe nga presioni ndërkombëtarë, mirëpo I parë rrjedhën e deritanishme me të vërtetë është jo reale që ata të pritet që ata do të ekstradohen në Kosovë. Sikurse të ekstradoheshin në Kosovë nuk do të kishte gjykim në mungesë ata do të ishin prezent, mirëpo kjo është pak me besueshme do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet mirëpo Kosova edhe pse nuk është anëtare e INTERPOL-it ka mundësi që përmes UNMIK të vendos personat e kërkuar në INTERPOL”, theksoi juristi Çerkini.

Ndryshe, nga avokati Artan Çerkini, kolegu i tij, Arbër Jashari beson që aktualisht gjykimi për sulmin në Banjskë do të zhvillohet vetëm për tre të akuzuarit që ndodhën në paraburgim në Kosovë.

Juristi Jashari konsideron se gjykimi në mungesë është vështirë i realizueshëm për të akuzuarit tjerë që janë në arrati.

Sipas tij, Serbisë duhet t’i bëhet presion ndërkombëtarë për dorëzimin e të akuzarëve tek autoritet kosovare.

“Do të jetë sfidues për shumë aspekte si pikë e parë është se kemi të bëjmë me një proces të madh gjyqësor dhe kompleks ku janë të përfshirë shumë të akuzuar për disa vepra penale të cilët për nga natyra janë vepra shumë të rënda penale….Si pikë e dytë mendoj se sfidues është sepse pothuajse shumica prej të akuzuarve duke i hequr vetëm tre prej tyre ndodhen në arrati dhe janë të posaçëm për organet ligj zbatuese të Kosovës. … ky gjykim është i mundshëm të mbahet vetëm për këta tre persona të cilët ndodhen në paraburgim, ndërsa për pjesën tjerët kryetari i trupit gjykues do ta veçoj procedurën dhe për ta gjykimi do të filloi kurdo që ata arrestohet dhe bëhen të qasshëm për organet ligj zbatuese të Kosovës…në bazë të veprave penale të cilat i ka përfshirë kjo aktakuzë mendoj se gjykimi në mungesë do të bëhet vështirë i realizueshëm”, tha Jashari.

Aktualisht në Kosovë janë të akredituar rreth 30 avokatë serbë, e për të siguruar mbrojtje për të gjithë të akuzuarit e përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjskë do të nevojitet edhe mbrojtjes nga nacionaliteti shqiptar apo nacionalitete të tjera.

Ndonëse konsiderojnë se nuk duhet të ndodh, refuzimi i juristëve për t’i mbrojtur para gjykatës të akuzuarit për terrorizëm po konsiderohet sfidë.

Nga Oda e Avokatëve të Kosovës thanë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për përfaqësim në rastin gjyqësor për sulmin në Banjskë.

Nënkryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Naim Rudari teksa ka listuar disa nga sfidat që e bëjnë sfidues sigurimin e mbrojtjes nga nacionaliteti shqiptar, tha se refuzimi nuk duhet të ndodh pasi mbrojtja ndihmon drejtësinë vendore për gjykim të drejtë.

“Mund të jetë sfidues për disa arsye, një numër i madh i avokatëve nuk janë të përcaktuar fare që të angazhohen sipas detyrës zyrtare. Pra, angazhohen vetëm sipas autorizimit apo në rastet e procedura civile, në anën tjetër avokatët tjerë nuk angazhohen në raste shumë të nivelit të tillë dhe se në rastin konkret duhet që avokati ta njoh gjuhën serbe për të komunikuar me të akuzuarit që përfaqëson që janë prezent apo edhe në rastin konkret ka të tillë që hezitojnë. Para se gjithash ne duhet të ftojmë avokatët të nacionalitetit serb përderisa ata janë të gatshëm megjithëse nuk janë gjithsej 45 avokat sa janë aq të akuzuar për tu angazhuar në rastin konkret, padyshim që duhet të angazhohen edhe avokat shqiptarë dhe nacionaliteteve tjera. Besoj që avokatët nuk do të hezitojnë dhe nuk do të duhej të hezitojnë pasi që është një proces që avokati para se gjithash avokati mbron të drejtat e të akuzuarit, por në rastin konkret ndihmon edhe gjykatën për të proceduar në këtë çështje”, deklaroi nënkryetari i OAK-të.

45 serbët e akuzuar në mesnatën e 24 shtatorit 2023, e sulmuan Policinë e Kosovë në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri, Afrim Bunjaku, është plagosur një polic tjetër, si dhe janë lënduar disa të tjerë.

Ndërsa, më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për 45 personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë. Në mesin e të akuzuarve kryesor është Millan Radojiçiq, si udhëheqës i grupit.

Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Aktualisht në paraburgim ndodhen vetëm 3 persona të përfshirë në sulmin terroristë në veri të Kosovës.

Sot kur po shënohet përvjetori i parë i sulmit terrorist në Banjskë krerët shtetëror e ndërkombëtar kanë vizituar familjen e rreshterit, Afrim Bunjaku por edhe Banjskën aty ku ndodhi sulmi terrorist.

E thirrje që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës për krimin e kryer janë bërë si nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Exit mobile version