Junior Geeks është një platformë gjithëpërfshirëse për nxënës të shkollave të mesme, për të diskutuar, hulumtuar dhe mësuar teknologjinë, ndërmarrësinë, shkencën dhe inovacionin.
Programi i parë fitues nga Kosova dhe Evropa Juglindore i fondit për Inovacion i Departamentit Amerikan të Shtetit, u çel më 2019 dhe u shërben të rinjve nëpër klube shkollore për të mësuar rreth temave që u ndihmojnë atyre të formësojnë dhe zbatojnë shkathtësitë në fushat si: programimi, robotika, mekatronika, siguria kibernetike, marketingu digjital, inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave, teknologjia blockchain, dizajnin grafik, SEO, “machine learning”, hulumtimi shkencor, etj.
Për dallim nga viti i parë i zbatimit, “Junior Geeks” 2.0 (2020/2021) zgjerohet në nëntë (9) qytete/regjione dhe do të përfshijë: Prishtinën, Pejën, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën, Ferizajn, Gjilanin, Skenderajn dhe Graçanicën.
Mëse 900 nxënës do të përfitojnë nga programi, i cili tashmë u hap për aplikime, ndërsa nxënësit e interesuar mund të aplikojnë këtu.
Disa prej aktiviteteve të programit përfshijnë: takimet e rregullta të klubeve shkollore, ligjeratat dhe trajnimet, vizitat studimore, garat, kampin për shkencë dhe teknologji!