Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se marrëveshja për të lejuar turqit që të udhëtojnë pa viza në Evropë, do të shembet, në qoftë se Turqia nuk përmbush angazhimet e saj.
Ai tha se ndryshimet për terrorizëm në ligjet e Turqisë, kanë qenë një nga kushtet që duhet plotësuar për liberalizimin e vizave. Por, një gjë të tillë e kishte refuzuar presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili e ka akuzuar BE-në për hipokrizi.
Çështja e vizave është pjesë e një marrëveshje që synon lehtësimin e krizës së migrimit në Evropë.
“Ne konsiderojmë se është e rëndësishme që këto kushte të plotësohen. Përndryshe, kjo marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë nuk do të ndodhë. Nëse Erdogan vendos që t’ua mohojë turqëve lëvizjen e lirë, është problem i tij, jo i imi”, ka thënë Juncker.