Telegrafi

Jude Bellingham shpallet fitues i çmimit “Golden Boy”

Mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, është shpallur fitues i çmimit “Golden Boy 2023”.

Çmimi “Golden Boy” i jepet çdo vit futbollistit më të mirë nën moshën 21 vjeç dhe u krijua nga gazeta italiane Tuttosport në 2003, me gazetarët që votonin për fituesin.

Fitues të mëherëshëm të këtij çmimi ishin emra si Wayne Rooney (2004), Lionel Messi (2005) dhe Paul Pogba (2013). Gavi i Barcelonës e mori këtë çmim vitin e kaluar.

Ky çmim tani shkon për anglezin pasi  mesfushori 20-vjeçar paraprakisht kishte fituar trofeun “Kopa” në çmimet e Topit të Artë në tetor, ku u shpall si futbollisti më i mirë nën moshën 21 vjeçare në botë.

Përveç fitimit të trofuet “Kopa”, Bellingham përfundoi i 18-ti në ranglistën e Topit të Artë për meshkuj, bazuar në paraqitjet e tij për klubin e  mëparshëm, Borussia Dortmund .

Bellingham u transferua në Real Madrid nga Dortmundi në afatin kalimtar të verës dhe deri më tani ka pasur paraqitje të jashtëzakonshme, pasi ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar tre herë në 14 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

Reprezentuesi anglez arriti të shmangë konkurrencën nga një sërë kandidatësh, përfshirë Rasmus Hojlund, Jamal Musiala dhe Benjamin Sesko, për të marrë çmimin prestigjioz./Telegrafi/