Asnjëherë mund të mos keni menduar se si mënyra se si duket llogaria juaj në Facebook apo fotografitë që i postoni mund të ndikojnë në mundësitë për të gjetur punë. Po pra, kërkues pune kjo nuk është shaka!
Sipas një anketimi, shumë kompani kanë filluar të refuzojnë aplikacionet për punë duke u bazuar në llogaritë e rrjeteve sociale të kandidatëve. Para se ta bëjnë ndonjë lëvizje, punëdhënësit hulumtojnë rreth kandidatëve duke i shikuar ata në Facebook, Instagram, Twitter etj., transmeton Telegrafi.
Shumë herë punëdhënësit as nuk duan që ju të dini se është hapur ndonjë pozitë e re e punës, vetëm duke u bazuar në rrjetet sociale.
Dhe shpeshherë mund të refuzoheni nga një intervistë nëse llogaritë e rrjeteve sociale paraqesin sjellje të caktuara që mund të jenë problem për kompaninë e cila është duke e menduar mundësinë për t’ju punësuar.
Prandaj, mendoni dy herë para se të postoni fotografi të netëve që i kaloni të shfrenuar nën ndikimin e alkoolit. Duhet ta keni parasysh gjithmonë efektin e keq të rrjeteve sociale.
Është e rëndësishme ta menaxhoni llogarinë mirë dhe ta rregulloni privatësinë. Rrjetet sociale mund të jenë mjet i fuqishëm për ndërtimin e një brendi personal apo për tërheqjen e punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Sidoqoftë, interneti është rrugë dy-kahëshe pasi që kompanitë dhe kandidatët mund të marrin informacione për njëri-tjetrin përmes tij. Prandaj, është e rëndësishme që dy palët të kenë kujdes se si paraqiten në rrjete sociale.
Sipas anketimit në fjalë, 28 për qind e kandidatëve kanë pranuar se ajo çfarë kanë lexuar në internet për kompaninë ka ndikuar në mendimin e tyre për të aplikuar për një vend pune.
Ekspertët besojnë se punëdhënësit dhe punëmarrësit kërkojnë personin ideal, dhe interneti mund ta informojë dikë më shumë sesa CV-ja. /Telegrafi/