Telegrafi

“Me ju në tribuna, puna në fushë do të jetë më e lehtë” – Foda vizitën e parë e bën te ‘Dardanët’

Vizitën e parë pasi është prezantuar si përzgjedhës i Kosovës, trajneri gjerman, Franco Foda e ka realizuar në ambientet e tifo-grupit të Kombëtares “Dardanët”.

I shoqëruar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe anëtarë tjerë të FFK-së, Foda është mirëpritur përzemërsisht nga tifozët dardanë.

“Faleminderit për mikpritjen, jam jashtëzakonisht i lumtur që Kombëtarja e Kosovës ka një mbështetje të madhe të tifozëve. Përkrahja e juaj është parësore dhe tejet e rëndësishme”.

“Me ju në tribuna, edhe puna në fushë do të jetë më e lehtë për ne. Jam optimist se bashkë do t’ia dalim drejt sukseseve”, ka theksuar Foda në bashkëbisedim me ‘Dardanët’.

Franco Foda do t’u prijë Dardanëve në dy vitet e ardhshme, teksa do ta nisë punën me ekipin në muajin e ardhshëm për dy ndeshjet miqësore kundër Armenisë dhe Hungarisë. /Telegrafi/