Telegrafi

Ju mbaron durimi banorëve të Bukoviqit, fillojnë protestat për ujë (Video)

Me shishe boshe nëpër duar banorët e fshatit Bukoviq kanë bllokuar rrugën në hyrje të Shkupit për të shprehur pakënaqësinë ndaj ndërprerjes së ujit në këtë vendbanim, njofton Tv21.

Ata thonë se kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se vazhdimisht kanë probleme me ujin, përkundër faktit që burimi i ujit që është skaj fshatit të tyre, në Rahçe.

‘’Se me të vërtetë ato lahen në xhakuzi, a pse ne kemi ardhur nga kurbeti dhe lahemi nëpër puse, s’kemi me çfarë e nxejmë ujin, shkojmë nëpër lumenj të mbushim ujë. Atyre nuk ju intereson fare! Mundohemi ne me puse, nga 2000-3000 euro japim për puse edhe s’ka ujë’’.

‘’Ne jemi shumë keq me ujin, fshati Bukoviq, Llaskarcë, Çailona, Semenishti! Askush nuk reagon për ujin, të bisedojë me ne’’, shprehen banorët.
Ata thonë se problemi i tyre me mungesë të ujit, është i vjetër, por askush nuk ka ndërmarr diçka konkrete për t’ua zgjidh hallin banorëve të kësaj ane.

‘’Që 20 vjet që është mbaruar rrjeti prej kompanisë në fshatin Bukoviq ,problemi me cilësinë e ujit është gjithashtu 20 vjet , nuk e mer përsipër askush këtë problemin e ujit.Ne dhe Llaskarca nuk kemi ujë ,të tjerët kanë ,nuk mer masa as komuna as askush tjetër’’, thotë Gani Ismaili.

Nga bashkësia lokale e këtij fshatit bëjnë të ditur se kanë bërë kërkesa të shumta në institucionet përkatëse por nuk kanë marrë përgjigje.

‘’Po ne si bashkësi lokale e fshatit Bukoviq edhe më herët kemi kërkuar ne aspektin administrativ, edhe në Komunë edhe në qytetin e Shkupit. Por, nuk na kanë dhënë përgjigje pozitive’’, thotë Sabedin Ibraimi nga bashkësia lokale.

I kontaktuar përmes telefonit, kryetari i Sarajit Bekim Murati, tha se problemi me ujin në këto anë, ka komplet tjetër konotacion. Sipas tij, banorët nuk e paguajnë ujin që shpenzojnë. Kryetari i kësaj komune madje tha se banorët e kësaj zone, ka 3 vjet që nuk i shlyejnë faturat e borxheve. Murati porositi që sa më parë, të paguhet borxhi aq më parë edhe do t’u kthehet uji.

TV21 provoi të merr një përgjigje nga ujësjellësi për ta konfirmuar këtë borxh, por prej atje nuk morëm ndonjë përgjigje.