Diskografia shqiptare numëron shumë këngë të bukura nga artistët shqiptarë, ndonëse ditëve të sotme këngët janë shumë komerciale dhe dëgjohen në vetëm pak muaj, në vitet e mëparshme këngët ishin shumë më kualitative dhe dëgjoheshin me vite.
Duke qenë se sot (e mërkurë) është dita e parë e stinës së vjeshtës për këtë vit, të gjithëve na bie ndër mend kënga e njohur “Vjeshta”, të cilën e interpretonte dikur këngëtarja Fitore Gjonbalaj Dumnica.
Kjo këngë e punuar nga kompozitori i njohur maqedonas Ocko Vasilkovski dhe me tekst të shkuar nga Avni Qahili, u bë njëra ndër hitet e vitit 2007 kur edhe u publikua. Teksti i saj i bukur dhe melodia e lehtë bënë që kjo këngë të mbetet gjatë në memorien e njerëzve.
Kënga ndodhet në YouTube, por ku mbeti këngëtarja që dikur e këndonte këtë këngë? Ajo kishte edhe shumë hite të tjera, por ka shumë kohë që Fitore Gjonbalaj është tërhequr nga muzika.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë me këngëtaren, por ajo është shprehur se nuk dëshiron të jetë e hapur ndaj mediave për jetën e saj pas tërheqjes nga muzika, ndonëse është e lumtur që këngët e saj ende edhe sot kujtohen nga publiku.
E gjitha ajo çfarë dimë është se këngëtarja ka një jetë të lumtur familjare, dhe se “Vjeshta”, pa dyshim do të mbetet një nga këngët më me vlera, që publiku do ta ruajë në zemrat e tyre, duke kujtuar me emocion një ndër baladat më nostalgjike ndër vite. /Telegrafi/