Partia e Jozefina Topallit, Lëvizja për Ndryshim regjistrohet në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës
Grupi nismëtar i Lëvizjes për Ndryshim përbëhet nga Jozefina Topalli, Adela Kryqziu, Evald Serriqi dhe Najada Selmani.
Ne vendimin e gjykatës thuhet se, Lëvizja për Ndryshim është një organizatë politike e pavarur, e ndërtuar si bashkim vullnetar të shtetasve shqiptarë mbi bazën e ideve, bindjeve, pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, me qëllim që të ndikojë në jetën politike të vendit, për demokratizimin dhe zhvillimin e tij, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në organet e zgjedhura të pushtetit.
Burimet financiare të partisë përbëhen nga kuotizimet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike , ndihma dhe dhurata nga anëtarët dhe përkrahësit e LN, si dhe nga çdo burim tjetër jo publik që autorizon ai.
Emri i plotë i partisë është partia “Lëvizja për Ndryshim” dhe inicialet e saj janë LN. Selia e partisë është në qytetin e Tiranës, me adresën rruga “Lidhja e Prizrenit”, nr 8, Tiranë.
Partia mbështetet në parimet e demokracisë liberale, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. /Ora News/