Zhvillimi i marrdhënieve të mira me të gjith fqinjët është përcaktim i përhershëm i Maqedonisë, tha sonte ambasadorja e Maqedonisë në Serbi, Vera Jovanovska Tipko, gjatë një pritje solemne të organizuar në Beograd me rastin e përvjetorit të 26-të të Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë.
“Këto marrdhënie të mira nuk nënkuptojnë iluzion për një atmosferë idilike, por marrëdhënie nëpërmjet të cilave çështjet e hapura do të zgjidhen nëpërmjet dialogut të sinqertë, me respekt dhe besim të ndërsjellë. Pikërisht me marrëdhëniet që do ti ndërtojmë me shtetin mik Serbinë, me të cilin vend na lidhin shumë elemente në të kaluarën, në të tashmen por edhe në të ardhmen, na lidhin marrëdhëniet njerëzore dhe simpatia reciproke, elemente këto që kanë vlerë të qëndrueshme dhe paraqesin nxitje për të përmirësuar vazhdimisht marrëdhëniet tona”, tha Jovanovska Tipko, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ajo më tej shtoi se Maqedonia po shkon drejt qëllimeve të saj, plotësisht e vetëdijshëme se rruga drejt integrimit euroatlantike është e përplot me vendime të vështira, procese vizionare dhe sfida të vështira, por kjo është një rrugë që nuk ka alternativë.
Në pritjen e sotme që u zhvillua në hapsirat e ambasadës së Maqedonisë në Beograd ishin të pranishëm edhe kryeministrja serbe, Ana Brnaviq, kryetari i Kuvendit, Maja Gojkoviq, Ministri i Punës, Zoran Djordjeviq, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe personalitete nga jeta publike dhe kulturore e Serbisë./Telegrafi/