Gjykata e Tiranës ka dënuar me nga 6 vjet burg dy të rinj, të akuzuar si autorë të tentativës së grabitjes me dhunë të një homoseksuali në kryeqytet. Sipas gjykatës, të pandehurit kanë joshur seksualisht të riun dhe më pas u përpoqën t’i vjedhin telefonin.
Tentativa e grabitjes me dhunë të një homoseksuali në Tiranë u kushtoi dënimin me nga 6 vite burg dy të rinjve. Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë masë dënimi për Mikel T. dhe Mario R., pasi i fajësoi për “vjedhje me dhunë”, mbetur në tentativë, ngjarje e shënuar në lagjen “Ali Demi” në nëntor të vitit 2017.
Sipas vendimit të arsyetuar të gjykatës, të pandehurit kanë shfrytëzuar prirjet homoseksuale të një 21 vjeçari për ta futur në kurth.
Pasi e kanë ngacmuar në rrugë me fjalët “o zogu sa i mirë je”, ata kanë hyrë në bisedë me të.
E kanë tërhequr drejt tunelit të një pallati në zonën e “Ali Demit” ku kanë tentuar t’i marrin me dhunë aparatin e telefonit.
Shpëtimi i djalit gay ka qenë një kamera sigurie, e cila ka trembur agresorët.
Ata nuk kanë mundur t’i marrin sende me vlerë, por e kanë goditur 21 vjeçarin duke i shkaktuar plagë në fytyrë.
Referuar dosjes, gjatë shqyrtimit gjykata është përballur me pretendime të kundërta nga të pandehurit.
Njëri prej tyre, duke mohuar kategorikisht akuzën e vjedhjes me dhunë, ka pohuar se ditën e ngjarjes i dëmtuari kishte shfaqur dëshirë për marrëdhënie homoseksuale me të.
Ky pretendim i të pandehurve është vlerësuar si i paprovuar nga gjykata, që pas kryqëzimit të provave doli në përfundimin se të pandehurit kanë konsumuar veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Vendimi është ankimuar nga të pandehurit në Gjykatën e Apelit./ABC News/