Telegrafi

Joshen bizneset dhe udhëtarët

Zyrtari për Informim në Hekurudhat e Kosovës, Refet Çitaku, tha se është shtuar numri i qytetarëve që preferojnë të udhëtojnë me tren brenda Kosovës dhe në vijën e rregullt për Maqedoni. “Në vitin e kaluar Qeveria e Austrisë ia ka dhënë Hekurudhave të Kosovës shtatë vagonë, të cilët janë shumë komodë dhe u përshtaten nevojave të qytetarëve të Kosovës”, tregon ai.

Sipas tij, duke pasur parasysh se Hekurudhat e Kosovës janë duke shkuar drejt modernizimit, është arritur dukshëm shtimi i transportit të udhëtarëve dhe i mallrave. Transporti i udhëtarëve ka shënuar rritje deri në 31 për qind, raporton Epoka e Re.

Ndërsa sa i përket vitit 2011, zyrtari Çitaku ka bërë me dije se ende nuk ka ndonjë shifër të saktë për klientët të cilët transportojnë mallra, pasi ende janë në procedurë të nënshkrimit të kontratave me Hekurudhat e Kosovës.

“Biletat për studentët ofrohen me zbritje prej 50-përqindësh. Ata duhet të pajisen me kartela të trenave që lëshohen në stacionin kryesor në Fushë-Kosovë. Po ashtu, përfitues të biletave të lira janë edhe fëmijët e pensionistët”, është shprehur ai.

Qeveria e Kosovës ka paraparë që deri në vitin 2013 ta bëjë modernizimin e Hekurudhave të Kosovës. /Telegrafi/