Jose Mourinho u përgjigj me linjën e tij ‘Preferoj që të mos flas’ kur u pyet për debatin që po bëhet rreth trajnerëve që festojnë pas fitores së ekipit të tyre.
Më herët gjatë këtij muaji, Mikel Arteta u kritikua për festën e tepruar pas fitores së Arsenalit me rezultat 3-1 ndaj Liverpoolit, pas vrapimit që bëri kur “Topçinjtë” shënuan gol.
Spanjolli e shijoi aq shumë momentin kur gjyqtari dha fishkëllimën e fundit sa që në festën e fitores bashkë me të u përfshinë edhe fotografi i klubit si dhe një tifoz i madh i klubit Stuart MacFarlane.
“Personalisht, më pëlqeu. Sjell një pasion dhe një emocion ndaj futbollit kur bëhet në mënyrë natyrale dhe unike”, ka thënë Gary Neville duke i dalur në mbrojtje Artetas.
Mbi këtë temë nuk kishte si mos të reagonte edhe Jose Mourinho, i cili ndër vite është bërë i njohur për festimet e tij kontroverse, ku bien në sy ato ndaj Tottenhamit në 2017 në “Old Trafford” dhe ndaj Juventusit në 2018.
“The Special One” postoi në rrjetin e tij social Instagram nëntë fotografi të tij duke festuar fitoret dhe ato i shoqëroi me mbishkrimin: Çfarë mendoj për trajnerët që festojnë pas fitores? Preferoj që të mos flas.
Pas festimit që kishte bërë ndaj Juventusit, tifozët e “Zonjës së Vjetër” e ofenduan atë dhe familjen e tij.
“Unë jam profesionist, ata më ofenduan për 90 minuta. Mua, familjen time dhe familjen time të tifozëve të Interit”, kishte thënë Mourinho për Sky Italia./Telegrafi/