Telegrafi

Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti në garë për transferimin e Marash Kumbullës

Marash Kumbulla është njëri nga mbrojtësit më të talentuar në Serie A.

Falë paraqitjeve fantastike këtë edicion me Hellas Veronën, mbrojtësi shqiptar është bërë shumë i kërkuar në tregun e transferimeve.

Inter, Napoli, Lazio dhe Fiorentina e duan me çdo kusht shqiptarin, por për të ka oferta edhe nga Anglia.

Chelsea dhe Manchester United prej kohësh kanë qenë duke e përcjellë reprezentuesin shqiptar.

Kumbulla gjatë një dueli me Ronaldon

Por së fundmi dy trajnerët e mëdhenj, Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti e duan transferimin e tij në skuadrat e tyre Tottenham Hotspur dhe Everton.

Mourinho pritet të mbetet pa mbrojtësin belg Jan Vertonghen dhe e sheh Kumbullën si zëvendësuesin ideal të reprezentuesit belg.

Edhe Evertoni i Carlo Ancelottit e ka ndjekur nga afër lojtarin dhe trajneri italian dëshiron ta transferojë atë në Ligën Premier.

Kumbulla mund të vendos të transferohet në Angli, pasi për të do të ishte një gjë e madhe të punonte me njërin nga dy trajnerët më të mirë në botë si Jose Mourinho ose Carlo Ancelotti.

Gjithsesi Verona për ta lënë të lirë lojtarin po synon të fitojë rreth 30 milionë euro. /Telegrafi/