Telegrafi

Jose Mourinho bllokoi kalimin e Nicolo Zaniolos te Tottenham, klubet kishin marrëveshje

Corriere dello Sport shkruan se Tottenham kishte rënë dakord për të blerë Nicolò Zaniolo, por Jose Mourinho u fut në mes dhe bllokoi kalimin e italianit në Angli.  

Tottenham kishte arritur një marrëveshje me Romën të enjten e kaluar për të marrë Zaniolo në huazim me detyrim blerje për 50 milionë euro.

Zaniolo kishte rënë dakord gjithashtu për pagën në vlerë 4.5 milionë euro në sezon dhe mundësinë për të punuar me Antonio Conte në Ligën Premier.

Megjithatë, Mourinho ndërhyri për të bllokuar lëvizjen dhe Zaniolo u bind gjithashtu nga pritja pasionante që mori nga tifozët në Stadio Olimpico në miqësoren e tyre të prezantimit parasezonal kundër Shakhtar Donetsk.

Roma më pas i telefonoi Tottehamit për t’i informuar se situata kishte ndryshuar dhe ata do të pranonin vetëm 50 milionë euro kesh, jo në huazim apo detyrim blerje.

Tottenham pastaj ka ofruar para dhe kartonin e Ndombeles, por oferta u refuzua.

Kontrata e re për Zaniolon mund ta rrit pagën e tij në 5 milionë euro për sezon neto./Telegrafi/