Telegrafi

Jose Fonte: Portugalia luan më shumë si skuadër pa Ronaldon

(Foto: AFP/Getty Images)

Portugalia luan më shumë si skuadër pa Cristiano Ronaldon – citohet të ketë thënë bashkëkombësi i tij, Jose Fonte.

Superylli portugez qëndroi në bankën rezervë në fitoren prej 6-1 kundër Zvicrës për t’u inkuadruar vetëm në minutat e fundit të sfidës së 1/8 së finales.

Qendërmbrojtësi i Lille për herë të fundit ka luajtur për Portugalinë në muajin mars kundër Turqisë, ndërsa nuk arriti të ishte pjesë e skuadrës në ‘Katar 2022’, edhe pse u inkuadrua në ekipin preliminar.

“Portugalia ka cilësi ta bëjë këtë në secilën ndeshje, por duhet të jemi të sinqertë – vetëm prania e tij në fushë i bën lojtarët e kombëtares që në mënyrë të pandërgjegjshme dhe automatike të luajnë për të dhe t’ia japin gjithmonë topin”.

(Foto: Getty Images)

“(Këtë e bëjnë) për atë që ai është, për atë që ka bërë dhe për atë që akoma është në gjendje të bëjë”, ka thënë Fonte në një podcast, ndërsa transmeton A Bola.

“Kur (Ronaldo) nuk është këtu, Portugalia luan më shumë si skuadër dhe kjo u pa (në ndeshjen ndaj Zvicrës). Ata luajtën shumë rrjedhshëm, pa një pikë të vetme fokale, të gjithë kontribuuan dhe ishte bukur për t’i shikuar”, ka shtuar 38-vjeçari.

Ronaldo e humbi vendin në formacionin startues pas reagimit të tij për shkak të zëvendësimit në ndeshjen grupore ndaj Koresë së Jugut.

Fonte shtoi se Goncalo Ramos nuk do ta humbë vendin në skuadër kur kihet parasysh se i shënoi tre gola, ndërsa shtoi se Cristiano mund të japë kontribut pozitiv duke u inkuadruar nga banka rezervë.

“Nuk mund ta mësosh një legjendë si Ronaldo. Ronaldo gjithmonë do të jetë Ronaldo, ndërsa për Portugalinë është shumë pozitive që ka një lojtar si ai në bankën rezervë – do të të mund t’u shkaktojë probleme kundërshtarëve”, ka shtuar Fonte. /Telegrafi/