Telegrafi

Josa për fitoren e parë ndaj Dritës: Nuk na mashtron pozita e tyre, duam fitoren

Drita dhe Prishtina do ta zhvillojnë derbin e javës së gjashtë në Gjilan.

Dy skuadrat vijnë në këtë takim me formë krejtësisht ndryshe nga njëra tjetra.

Drita nuk ka marrë më shumë se një fitore duke pësuar katër humbje radhazi.

Në anën tjetër kryeqytetasit kanë triumfuar në tri ndeshjet e para ndërsa kanë barazuar në dy tjera.

Për Josen kjo do të jetë përballja e katërt ndaj Dritës, ku ka barazuar në dy sfida dhe ka humbur në një tjetër (Superkupë).

Trajneri tiranas ka folur për këtë ndeshje për faqen zyrtare të klubit.

“Ne konsiderojmë ndeshjen lojë më lojë dhe si për ne, ashtu edhe për Dritën, është lojë trepikëshi që t’i shërbej çdo skuadre për objektivat që ka. Nuk do të thotë gjë që Drita është në këto pozita, përbërjen e futbollistëve e ka dhe mund të themi që e kishte edhe pas Superkupës”.

“Por, në një skuadër gjërat mund të prishen shumë shpejtë dhe mund të rregullohen shumë shpejtë. Këtë nuk e them për skuadrën e Dritës, sepse nuk i di problemet e saj, por për të gjitha skuadrat në përgjithësi. Është shumë zor të rregullohen gjërat, por shumë thjesht mund të prishen”.

“Kështu që çdo skuadër duhet me pasur kujdes dhe edhe ne duhet të kemi kujdes, sepse nuk do të thotë që me një fitore u stabilizuan të gjitha gjërat, u stabilizuan të gjitha problemet. Kur them problemet, nuk flas për probleme tjera përveç problemeve tekniko-taktike ose gjendjes fizike të lojtarëve”, ka thënë Josa. /Telegrafi/