Telegrafi

Josa: Fitore e vështirë, nuk duhet të vetëkënaqemi

Prishtina ka arritur të triumfojë në derbin e javës ndaj Trepçës ’89 me rezultat 2-0.

Kësisoj bardh e kaltërtit kanë marrë pozitën e parë në tabelë me 39 pikë të grumbulluara pas 21 javëve.

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa pas ndeshjes ka thënë se nuk ishte fitore e lehtë dhe se e vlerëson kundërshtarin.

“Fitorja e sotme direkte ndaj 89shit nuk do të thotë se ka mbaruar çdo gjë. Trepça ’89 është një kundërshtar i fortë dhe i organizuar”.

“E vlerësoj shumë këtë fitore, pas mbetjes me 10 lojtarë në fushë të 89shit ishim mjaft të kujdesshëm nga gjuajtjet standarte. Kjo nuk ishte një fitore e lehtë siç mund të ju duket juve”, ka thënë Josa pas ndeshjes.

Ai ndër tjera tha se është i kënaqur me administrimin e lojës nga futbollistët e tij.

“Unë jam i kënaqur me administrimin e lojës, me golin e dytë si dhe me mënyrën si insistuam. Çdo e mirë ka edhe të këqiat e veta prandaj ne nuk duhet të vetëkënaqemi, kampionati është i gjatë dhe ne duhet të vazhdojmë”.

“Sa i përket Trepçës ’89, humbja e sotme nuk do të thotë se janë dorëzuar.” tha trajneri i kryeqytetasve, Mirel Josa. /Telegrafi/